Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe nënsekretari amerikan i Shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, Keith Krach sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi për krijimin e rrjeteve të pastërta 5G.

Në Ambasadën e Kosovës në Shkup, kryeministri Hoti pas nënshkrimit, tha se një memorandum i tillë është shenjë e fuqishme e presidentit amerikan Trump për të quar përpara marrëveshjen e Washingtonit.

Hoti: Kjo është shenjë e fuqishme e presidentit Trump

“E falënderoj gjithë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosmërinë që të qojmë shpejtë përpara zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit. Është hap i madh drejtë rritjes së sigurisë në këtë fushë, përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore për të qenë krah partnerëve tanë strategjik siç janë SHBA në këtë fushë. Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me ketë çështje, besoj që kjo është shenjë e fuqishme e presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA-ve për të quar përpara marrëveshjen e 4 shtatorit. Pres që së shpejti edhe vendet e tjera në regjion të lëvizin drejtë nënshkrimit të këtij memorandumi. Vetëm së bashku mund të rrisim sigurinë në regjion”, tha Hoti.

E nënsekretari amerikan i Shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, Keith Krach tha se Kosova është partner strategjik shumë i vlefshëm për Amerikën.

“Kosova është partner strategjik shumë i vlefshëm e ky nënshkrim është dëshmi e miqësisë së fuqishme mes dy shteteve tona… Bota po zgjohet nga rreziqet nga sistemi i internetit të pabesueshëm. Deklarata jonë e përbashkët historike e adreson ketë rrezik duke marrë parasysh sigurinë që rrjetet e pastërta do të jenë vitale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. 25 vende të NATO-s dhe 27 të Unionit Evropian janë në ketë rrjet të pastërt dhe ka shumë shtete tjera e kompani qe e përdorin ketë”, tha ai.

Ai tha se rrjeti i pastër mbulon çdo gjë, nga rrjetet elektrike deri te makinat dhe lidhjen e tyre me aplikacionet në telefonat e njerëzve.

“Kjo ceremoni simbolizon jo vetëm besim të fuqishëm në mes të popujve tona por edhe mirëbesim në mes të kombeve të rrjetit të pastër që janë të përkushtuar në betejën për liri. Hoti nga thellësia e zemër iu vlerësoj për partneritetin e besueshëm dhe do ta vazhdojmë këtë edhe në vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Hoti po qëndron në një vizitë zyrtare më Maqedoninë e Veriut, ku aktualisht po takon përfaqësues të subjekteve politike.