Kosova dhe Shqipëria konkretizojnë bashkëpunimin në bujqësi

Kosova dhe Shqipëria e kanë konkretizuar bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në ms dy ministrive.
Këtë momerandum e kanë nënshkruar ministri Faton Peci dhe ministrja, Frida Krifca në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që u mbajt sot në Elbasan.
Ministri Peci, ka treguar se me nënshkrimin e këtij Memorandumi, do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes të dyja shteteve, duke e parë këtë sektor si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve.
”Do të bashkëpunojmë në përafrimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore,  në shkëmbimin e informatave dhe përvojave në zhvillimin e sistemeve operacionale të zbatimit për përdorimin e fondeve të para anëtarësimit të BE–së dhe fondet për zhvillim rural të pas–anëtarësimit, si dhe në Zhvillimin e Sistemit të Gjithmbarshëm të Kontrollit dhe Administratës së Integruar. Krahas kësaj, përmes këtij memorandumi do të angazhohemi për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare duke hequr tarifat e kontrollit për import – eksportet, dhe angazhimin për mos rritjen e tarifave të tjera në të ardhmen”, ka theksuar Ministri Peci. Ndër tjerash, ai potencoi se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të orientohet edhe në fushën e agroturizimit, blegtorisë, vreshtarisë dhe verëtarisë”, ka thënë Peci.
Në anën tjetër, Ministrja Krifca, ka vlerësuar se me këtë Memorandum përcaktohet angazhimi për mbështetjen dhe inkurajimin e përbashkët në marrjen e masave të duhura në pajtim  me  legjislacionin përkatës në fuqi për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok të dobishëm për të dyja palët.
Po ashtu, ajo ka theksuar se krahas gjithë këtij bashkëpunimi, do të orientohen edhe në shkëmbimin e ekspertëve në lidhje me projekte mbi programet analitike, si dhe në shkëmbimin e përvojave rreth integrimit të gruas fermere, si dhe mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në veprimtaritë e ndryshme bujqësore.

Back to top button