Kosova do ta humbasë mbështetësin e saj më të madh në Kongresin amerikan kur përfaqësuesi Eliot Engel të largohet në muajin janar, pas më shumë se tri dekadash në detyrë.

Engel, demokrat, ka përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të New York me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.

Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë atë të famshëm në këtë shtet, të njohur nga rreth 115 vende të tjera.

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Kjo e ka bërë atë një figurë të diskutueshme në Serbi, vendin që vazhdon ta refuzojë humbjen e Kosovës dhe lobon kundër njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, largimi i Engelit nga Dhoma e Përfaqësuesve – ku së voni ka kryesuar Komitetin për Punë të Jashtme, duke përdorur pozicionin e tij për të ndëshkuar Beogradin dhe për të mbrojtur Kosovën – mund të mos jetë një rast për Serbinë që të gëzohet.

Engel, 73 vjeç, ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme në zgjedhjet paraprake, në verë.

Ai ka thënë se është pyetur nëse do që të jetë ambasador ose nënsekretar në administratën e Joe Bidenit dhe se po i shqyrton opsionet. Kjo ngre pyetjen nëse ai do të vazhdojë të ndikojë politikën e SHBA-së në Ballkan.

“[Ka] shumë gjëra të ndryshme që mund t’i bëj… Nuk do të marr ndonjë vendim tani, por e dini se jam duke menduar”, ka thënë Engel për Washington Examiner, në fillim të dhjetorit.

”Ndoshta bëj diçka me administratën… Disa njerëz kanë sugjeruar që mbase unë mund të jem ambasador”, ka thënë ai.

Pasioni ballkanik

Ndonëse Engel nuk ka dhënë shumë detaje për planet e tij të ardhshme, ai ka treguar se ku qëndrojnë interesat e tij politikë në një seancë dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme, të mbajtur më 8 dhjetor.

“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan”, ka thënë Engel në këtë seancë dëgjimore, të cilën e ka thirrur për t’i dhënë rekomandime mbi rajonin administratës së ardhshme të Bidenit.

“Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve”, ka thënë Engel.

“Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”, ka shtuar ai.

Vendimi i Engelit që në ditët e fundit të tij në Kongres të mbajë seancë dëgjimore për një pjesë të Evropës, që rrallë bën tituj lajmesh në Shtetet e Bashkuara, ishte i rëndësishëm, thonë vëzhguesit.

“Seanca kishte për qëllim të çimentonte trashëgiminë e Engelit në Ballkan, veçanërisht sa i përket Kosovës”, thotë Dan Vajdich, i cili ka mbuluar Evropën dhe Euroazinë për Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe tani këshillon Dhomën e Tregtisë së Serbisë për tërheqjen e investimeve amerikane në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Engel ka hyrë në Kongres derisa Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Ai është përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale përmes pozitës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht reputacionin si ekspert i Ballkanit.

Ai ka qenë ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë. Padyshim se ka qenë edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja, një dekadë më vonë.

Engel vazhdon të luftojë për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë që kanë luftuar në anën e shqiptarëve dhe janë ekzekutuar nga policia serbe në vitin 1999. Vrasësit e tyre nuk janë ndjekur ende penalisht./REL