Kosova i ka dhënë akreditim organizatës ICMP në Kosovë

Kosova i ka dhënë akreditim organizatës ICMP në Kosovë

Në vazhdën e angazhimeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, Kosova ka akredituar sot Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Kështu u është bërë e ditur me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, sipas të cilit të dyja palët marrin obligime shtesë për bashkëpunim dhe për të punuar edhe më shumë për të zbardhur fatin e të zhdukurve.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se së bashku me ICMP-në janë të përkushtuar për zbardhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme.

“Kosova i ka dhënë akreditim organizatës në Kosovë, dhe kisha nderin më herët me ia kaluar akreditimin. Njëkohësisht, tash nënshkruam një marrëveshje me Organizatën Botërore për Persona të Pagjetur dhe marrim obligime të ndërsjella për bashkëpunim, për zbardhjen e kësaj çështje që është e jona, por që është edhe multilaterale, sepse kjo përfshinë edhe palët e tjera në rajon. Kësisoj po vazhdon një traditë e punës”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtoresha e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), Ketrin Bomberger ka theksuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për komisionin ndërkombëtar për personat e pagjetur.

Ajo është shprehur se janë të interesuar dhe se do të përkushtohen ta ndihmojnë Kosovën në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Kemi qenë me shtetin tuaj për kohë të gjatë, duke punuar së bashku që nga viti 1999 për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve nga konfliktet e armatosura qe ndodhën gjatë konfliktit të Kosovës, por edhe para kësaj duke punuar me qeveritë e rajonit që nga viti 1996 për t’i ndihmuar ato qeveri të bashkohen për të llogaritur për 40 mijë persona që u zhdukën nga këto konflikte të armatosura në këtë rajon gjatë 1999-tës. Jemi shumë të lumtur sot për këtë rast, për të zgjeruar bashkëpunimin tonë, për t’u siguruar që ka bashkëpunim të zgjeruar rajonal për të trajtuar këtë çështje shumë të komplikuar”, ka theksuar ajo.

Ndryshe, edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave. Ndërsa, pritet që së shpejti Kosova të bëhet anëtare e Komitetit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).