Kosova drejt një momentumi të ri me BE-në, Orav: Kapitulli i masave ka përfunduar

Shefi në largim i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori, Aivo Orav, deklaroi se periudha e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka përfunduar, duke hapur rrugë për një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit.

Orav në një bashkëbisedim me gazetarë ka theksuar se tashmë ekziston gatishmëri nga ana e BE-së për të avancuar me projekte dhe programe konkrete, ndërsa ka përmendur edhe krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi, veçmas pas marrëveshjes për Ligjin për të huajt, ku u bënë disa lëshime për serbët lokalë në Kosovë.

Sipas tij, një ndër pengesat kryesore për largimin e masave ka qenë nevoja për konsensus të plotë mes shteteve anëtare të BE-së, çka ka zgjatur procesin. Megjithatë, ai ka vlerësuar përputhjen e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së, veçanërisht në raport me sanksionet.

“Masat kanë mbetur prapa nesh tani dhe tani duhet të fillojmë të ecim përpara. Në fakt, ka zhvillime pozitive që kanë ndodhur edhe gjatë këtij gjysmëviti. Ne në Bashkimin Evropian jemi gati të angazhohemi, të ecim përpara, dhe shpresojmë shumë se së shpejti do të zgjidhet edhe presidenti apo presidentja. Të paktën do të kemi sqarim se çfarë do të ndodhë. Por ky kapitulli i masave ndëshkuese është prapa nesh dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Problemi ka qenë se ne është dashur të kemi konsensusin e të gjitha vendeve anëtare dhe kjo mori ca kohë. E vlerësoj shumë atë çfarë bën Kosova në fushën e politikës së jashtme dhe që e harmonizon politikën e saj me Bashkimin Evropian sa i përket sanksioneve, sa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve që kanë të bëjnë me të. Dhe tani besoj fuqishëm se mund të ecim përpara së bashku, të shikojmë drejt të ardhmes dhe shpresojmë shumë se ky hutim apo konfuzion politik do të sqarohet shumë shpejt dhe do të keni një partner shumë të mirë në këtë proces”, deklaroi ai.

Duke folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Orav ka bërë të ditur se ai ende nuk është shqyrtuar, pikërisht për shkak të kontekstit të mëparshëm të masave ndëshkuese.

Ai ka theksuar se zhvillimet e fundit, përfshirë marrëveshjen e 14 marsit, mund të krijojnë momentum të ri politik brenda vendeve anëtare.

“Aplikacioni për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se në njërën anë nëse ka masa ndëshkuese ndaj Kosovës, në anën tjetër është e vështirë që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të fillojnë procesin në diçka. Tani, kur mund të themi se këto masa janë prapa nesh, shpresojmë se do të ketë edhe dinamika të reja. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshje e 14 marsit me siguri i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si të trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.

Back to top button