Kosova në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian po angazhohen intensivisht që të sigurojnë sa më parë vaksinën kundër Covid-19.

Sot, gjatë një video-konference me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE, Oliver Varhelyi, Zv/Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Muhamet Brajshori, siç bëri të ditur ministria, e informoi Komisionin Evropian me përgatitjet e Kosovës për të siguruar vaksinën.

Sipas MPJD-së, ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë një plan veprimi.

“Komisioni i BE-së po punon me Kosovën dhe vendet tjera në rajon për t’i vënë vaksinat në dispozicion në Ballkanin Perëndimor në një kohë të duhur, pasi ato këtë muaj fillojnë të shpërndahen në BE. Komisioni Evropian po lë mënjanë fondet në mbështetje të kësaj përpjekjeje dhe aranzhimet koordinuese.” u bë e ditur në komunikatë.

Në ditët e ardhshme, siç u bë e ditur, MPJD do të jetë në komunikim të afërt me Komisionerin Varhelyi, për të definuar deri në detaje planet dhe veprimet e përbashkëta që mundësojnë sigurimin dhe shpërndarjen adekuate të vaksinës anti-Covid-19 dhe imunizimin e popullsisë.

Komisioneri Varhelyi e cilësoi si frytshëm takimin koordinues me ministrat e jashtëm dhe çështjeve evropiane dhe ka premtuar se do të angazhohet që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të sigurojnë vaksinat në një të ardhme të afërt.

Takim virtual u mbajt me Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi dhe përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimorë mbi situatën me COVID-19 dhe pranimin e vaksinës në Ballkanin Perëndimor./21Media