Ndeshja Maqedoni – Kosovë zhvillohet më 26 mars

Ndeshja Maqedoni – Kosovë zhvillohet më 26 mars

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në histori, atë në kuadër të gjysmëfinales së play-offit, në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë.

Sa më shumë që po kalojnë ditët, emocionet për këtë ndeshje po shtohen bashkë me entuziazmin dhe dëshirën e “dardanëve”.

Një gjë të tillë e deklaroi edhe ndihmës trajneri i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti i cili në një intervistë për kp, fillimisht foli për përgatitjet që stafi i kombëtares ka bërë deri më tani.

Sahiti deklaroi se Kosova është e gatshme për përballjen ndaj Maqedonisë, ndërsa përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur qysh nga ndeshja e fundit, që “dardanët” kanë zhvilluar ndaj Anglisë.

Të gjithë e dimë, se forma e “dardanëve” nuk është e duhura, mirëpo sipas Sahitit e rëndësishme është që futbollistët po kanë minutazh të duhur në skuadrat e tyre, andaj edhe forma e tyre është në rritje.

Duke ditur se Maqedonia është një kundërshtar tejet i fortë për Kosovën, Sahiti ndër tjerash u shpreh se së bashku me stafin e kombëtares kanë analizuar çdo detaj të kundërshtarit, në mënyrë që Kosova të jetë më e përgatitur si fizikisht ashtu edhe emocionalisht për këtë ndeshje tà « rëndësishme.

Sa i përket një parashikimi të mundshëm për këtë ndeshje, ndihmëstrajneri i Kosovës u shpreh se është vështirë për një gjë të tillë, duke parë edhe formën aktuale të të dyja kombëtarëve.

Ndeshja Maqedoni – Kosovë zhvillohet më 26 mars, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin e qytetit në Shkup, ndërsa fituesi i kësaj ndeshjes do të luaj në finale me fituesin e ndeshjes tjetër Gjeorgji – Bjellorusi.