Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është dy ndeshje larg për ta siguruar një biletë për në “Euro 2020”. Sonte Kosova dhe Maqedonia e Veriut zhvillojnë ndeshjen në kuadër të play-offit të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja jonë do të jetë mysafir i shtetit fqinj në ndeshjen që luhet në Shkup nga ora 20:45. Kjo ndeshje cilësohet si ndër më të rëndësishmet për Kosovën që nga pranimi në UEFA dhe FIFA.

Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e vetme dhe të fundit para ndeshjes në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

Kosova e filloi stërvitjen në ora 18:00, ku Bernard Challandes dhe lojtarët zbarkuan në fushë, pas konferencës për shtyp që e mbajti trajneri Bernard Challandes.

Ai tha se “Jemi pranë një momenti kur edhe ëndrrën mund ta prekim, por kemi disa probleme, nuk jemi në situatën më të mirë, por Kosova si ekip futbolli ka treguar se di t’i përballojë këto situata, duke i kthyer në favor të vetin“./21Media