Remdesivir është ilaçi i cili është autorizuar për trajtimin e sëmundjes së COVID-19. Para një muaji ky ilaç i cili sipas studimeve shkurton periudhën e shërimit tek pacientët është autorizuar të përdoret në Mbretërinë e Bashkuar.

Por, në Kosovë ende nuk është siguruar. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti.

“Agjencia Europiane e Barnave – EMA ka pranuar rekomandimin nga komisioni shkencor CHMP i Agjencisë për aprovim të barit të parë për trajtimin e sëmndjes COVID – 19 të shkaktuar nga koronavirusi SARS CoV 2. MSh me ekspertët e Klinikes Infektive dhe institucioneve të tjera janë duke përditësuar Protokollin e Trajtimit klinik të rasteve të COVID-19 dhe, me të siguruar këtë ilaç, do ta përdorin sipas rekomandimeve që do të jepen nga agjensionet përgjegjese për trajtimin klinik të këtyre rasteve”, ka treguar Hoti.

Një studim i kryer në prill tregoi se pacientët me koronavirus të trajtuar me Remdesivir janë shëruar në 11 ditë krahasuar me 15 ditë për ata që morën një placebo.

Siç bëhet e ditur, Remdesivir ndërhyn me një enzimë që ndihmon viruset e ARN-së të replikohen dhe është treguar se është i suksesshëm kundër koronaviruseve në studimet laboratorike.

Ilaçi fillimisht u krijua për të ndihmuar në trajtimin e Ebolës gjatë shpërthimit në Afrikën Perëndimore.

Aktualisht, në Klinikën Infektive në Kosovë po trajtohen 97 pacientë të prekur nga COVID-19, dhe një tjetër është në pritje të rezultatit të testimit./21Media