Kosova ende pa raport hetimor përfundimtar për sulmin në Banjskë

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë përgatitur një raport hetimor përfundimtar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit derisa BE-ja ka thënë se është duke e pritur një raport të tillë në mënyrë që të ndërmarrë masat përkatëse. Prokuroria Speciale bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar dhe se në këtë fazë s’mund të japin informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Janë bërë më shumë se pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe ende nuk ka një raport hetimor përfundimtar në lidhje me këtë sulm.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërkaq, bëri të ditur se hetimet në lidhje me sulmin e 24 shtatorit janë duke vazhduar, por nuk dha detaje se kur do të ketë një raport përfundimtar hetimor. Zëdhënësi i prokurorisë Ekrem Lutfiu tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japin asnjë informacion për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim asnjë informacion për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, tha Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se BE-ja po e pret përfundimin zyrtar të hetimeve nga autoritetet e Kosovës dhe se kur të jetë i gatshëm raporti, duke u bazuar në të, do të vendosin për hapat apo për qëndrimin e tyre.

Profesori universitar i së drejtës penale, Ismet Salihu, vlerëson se hetimet për sulmin në Banjskë janë duke u zvarritur dhe se çdo zvarritje është në favor të Serbisë.

“Hetimet janë duke shkuar shumë ngadal, duhet të punohet më shpejtë. Organet e hetuesisë, prokuroia, policia duhet të jenë më agjile më të shpejta për shkak se është duke u vonuar procesi i hetimeve dhe daljes në publik të ngjarjeve të 24 shatorit. Kurrfar informate nuk ka, e di që një pjesë e hetimeve janë të fshehta, sekrete por një pjesë duhet të tregohet deri ku kanë mbërri. Është një parim jo vetëm nacional por edhe ndërkombëtar kur thotë që drejtësia e vonuar është padrejtësi këtë po e vërejnë edhe faktori ndërkombëtar i cili më të drejtë kërkon që të përshpejtohet procesi i hetimeve. Këtë proces mund ta përshpjetojmë ta bëjnë më të suksesshëm sepse tre prej 30 terroristëve serbë janë të arrestuar dhe ata mund të tregojnë informata…dhe njeri prej tyre mund ta pranoj edhe statusin e dëshmitarit bashkëpunues dhe të tregoj si ka rrjedh rasti. Nëse vazhdohet kështu kjo punë sipas kësaj që ka ndodh deri më tani duhet të jepet pas një viti, dy, ndërkohë vijnë ngjarje tjera dhe kjo mbetet në harresë dhe kjo i shërben regjimit të Serbisë zvarritja sa ma e madhe, sa më e gjatë e hetimeve”, tha Salihu për rtv21.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani ndërkaq thotë se hetimet për sulmin në Banjskë po zhvillohen brenda afatit ligjor. Por sipas tij një raport hetimor do të duhej ta kishin institucionet e tjera të sigurisë qw, siç thotë. do të ishte i majftueshëm për BE-në që të veprojë ndaj Serbisë.

“Afati i hetimeve është 24 muaj, ligjërisht afati standard është 24 muaj . Por për bindjen time çështja e sanksionimit të Serbisë në aspektin politik ose ekonomik nga ana e BE-së nuk varet shumë nga procesi i hetimeve të prokurorisë. Për bindjen time do të ishte i mjaftueshëm një raport i mekanizmave të sigurisë edhe ai raport do të ishte i mjaftueshëm për veprime politike nga ana e BE-së”, tha Hasani.

Se hetimet për sulmin në Banjskë po zhvillohen brenda afateve të parapara ligjore e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi teksa shtrojnë nevojën edhe për një hetim ndërkombëtar.

“Nuk mund të themi që në rastin konkret institucionet janë në vonesë. Sipas kodit të procedures penale hetimet mund të zgjasin deri në tri vite…rasti është kompleks. Do të ishte i mirëseardhur edhe një hetim ndërkombëtar veçanërisht shteteve mike të Kosovës”, tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Serbia, në anën tjetër, ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit./RTV21/21Media

Back to top button