“Kosova ka pasur të njëjtën situatë si ne”, flet trajner i Izraelit

Kombëtarja e Izraelit mbajti sot konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Kosovës në “Fadil Vokrri”.

Konferenca u shoqërua me masa të rrepta sigurie, ndërsa për mediat folën trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni, Eli Dasa.

Fillimisht, fjalën morri kapiteni Dasa, i cili foli për situatën aktuale në Izrael, duke shpjeguar se si mund ta ndajë atë nga objektivi profesional që e ka kombëtarja.

“Është e pamundur ta ndajmë dhe do ta përdorim si motivim, si diçka shtesë. Ne e dimë saktësisht se çfarë synojmë, ne e dimë saktësisht se çfarë duam të arrijmë. Kjo është diçka që do të na motivojë, gazetari përmendi edhe faktin që rrugës për në aeroport, filluan të dëgjohen sirenat dhe ne duhej të zbrisnim nga autobusi”, tha Dasa.

Ndërkaq, trajneri i Izraelit, Alan Hazan tha se është i krenarë që është në Kosovë, ndërsa e krahasoi luftën e Kosovës me atë të vendit të tij.

Jemi shumë krenarë që jemi këtu në Kosovë. E di që Kosova ka pasur të njëjtën situatë në të kaluarën si ne dhe uroj që populli juaj dhe populli ynë të jetojnë në të ardhmen në një botë paqësore shumë më të mirë

Më tej, Hazan foli edhe për Kombëtaren e Kosovës të cilën e cilësoi si ekip shumë të mirë por të pafat, ndërsa tha se ndeshja e nesërme do të jetë shumë e vështirë.

“Mendoj se Kombëtarja e Kosovës është një ekip shumë i mirë. E thashë që në fillim të garave. Ata kanë qenë të pafat që nga fillimi i turneut të tyre, disa ndeshje. Që në fillim ishte e qartë se Izraeli, Rumania dhe Kosova do të luftojnë për vendin e dytë dhe ne kemi shumë respekt për Kombëtaren e Kosovës. Ne e dimë se do të jetë një lojë shumë e vështirë për ne, por duhet të punojmë shumë nëse duam të realizojmë dëshirat tona, dhe le të fokusohemi për nesër dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Hazan.

Kombëtarja e Kosovës nesër me fillim nga ora 20:45 do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen kundër Izraelit, e vlefshme kjo për kualifikimet në Kampionatin Evropian Euro 2024

Back to top button