Kryeministri Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, sot priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, me ç’rast ky i fundit e uroi Kurti për marrjen e detyrës së udhëheqjes së Qeverisë. Maas, siç informoi qeveria, ripërsëriti mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.

Gjatë takimit, iu dha mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai, siç informoi qeveria, konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë.

Gjatë takimit, Kurti dhe Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë./21Media