​21 vjet nga masakra e Rezallës

​21 vjet nga masakra e Rezallës

Në 21 vjetorin e masakrës së fshatit Rezallë të Komunës së Skënderajt, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar të rënët duke thënë se masakra në Rezallë ishte një ndër masakrat e rënda, të kryera nga policia dhe ushtria serbe kundër popullatës shqiptare.

“Edhe në këtë masakër tipike të shtetit serb ndaj popullatës civile të paarmatosur pësuan kryesisht burrat, duke treguar natyrën e qartë të krimeve masive kundër njerëzimit, për të cilat nuk u vu para drejtësisë askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e tyre”, ka thënë Thaçi përmes llogarisë së tij në “Facebook”.

Sipas presidentit plaçkitjet, djegiet, dhunimet, vrasjet, masakrat dhe dëbimet masive ishin forma të hapura të gjenocidit të shteti serb, projekt që u zbatua anembanë Kosovës në vitet 1998-1999.

“Kosova kurrë nuk do ta harrojë gjakun e martirëve të lirisë”, përfundoi Thaçi.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Rezallës dhe në Llovcë të Gjilanit. Ai ka thënë se familje të tëra humbën më të dashurit, një numër i madh i të cilëve ende janë të pagjetur e eshtrat e tyre nuk pushojnë në atdhe.

Ai ka shkruar në “Facebook” se prilli i përgjakshëm i vitit 1999, ishte vendimtar për ardhmërinë dhe lirinë tonë.

“Sot kujtojmë jetët e pafajshme që u humbën 21 vite më parë në Rrezallë të Drenicës dhe në Llovcë të Gjilanit. Familje të tëra humbën më të dashurit, një numër i madh i të cilëve ende janë të pagjetur e eshtrat e tyre nuk pushojnë në Atdhe. Shumë dhembje përjetuam si popull. Por, ky ishte çmimi i lartë që paguam për liri. Ne jemi krenarë për të kaluarën, falënderues për kontributin e secilit, respektues për gjakun e Dëshmorëve dhe Martirëve. Lavdi të rënëve për liri”, ka shkruar ai.

Sot bëhen 21 vjet nga masakra e Rezallës, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur./21Media