Ndeshjen e parë të vitit 2021 Kombëtarja U21 do ta zhvillojë në pranverë. Më 26 mars Dardanët e rinj do të përballen me Katarin në kryeqytetin Doha, ndërkohë që ekziston mundësia të zhvillohet edhe një miqësore tjetër tri ditë më pas. Miqësorja me Katarin vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave.

Federata e Futbollit të Kosovës bënë të ditur se ky takim ka kohë që është aranzhuar, dhe gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë.

Situata me Covid-19 do ta determinojë edhe praninë e lojtarëve kosovarë, të cilët janë të angazhuar në klubet evropiane.

Ky grumbullim në Katar do t’i shërbejë Kombëtares U21 për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku bën pjesë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parë kualifikuese Kosova U21 do ta luajë më 8 qershor si vendase kundër Andorrës.