Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka theksuar se janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të sigurimit të vaksinës kundër COVID-19. Kështu ka deklaruar ai në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Presim 260 mijë vaksina falas, pjesën tjetër synojmë me buxhet të vendit. Lista e donacioneve është e madhe gjatë kësaj kohe”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka siguruar 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal, derisa janë në proces të sigurimit edhe për mbi 200 mijë të tjera.

Ai tha se po mundohen që të kryejnë pagesat e stafit shëndetësorë, por edhe stafit mbështetës.

“Buxheti është i limituar, jemi në diskutim me ministrinë e Financave, por kjo pagesë do të jetë retroaktive“, theksoi Zemaj.

Kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj tha se ditëve të fundit ka rënie të numrit të rasteve dhe menaxhim më të mirë të kësaj situate. Megjithatë, sipas saj është me rëndësi të dihet nëse Kosova është e gatshme të përballojë një valë të dytë me pandeminë COVID-19.

“Ne jemi të gatshëm që të punojmë në këtë çështje. Ne presim nga qeveria që të procesojë çështjet e legjislacionit. Shqetësim i yni është mos pagesat shtesë të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit tjetër. Për ne do të ishte e mirëseardhur të dimë në lidhje me këtë. Sepse ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës”, ka theksuar ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se rënia e numrit të rasteve po u mundëson mobilizim të përgjithshëm dhe përgatitje për valë të mundshme të përhapjes së COVID-19./KP