Kosova në mesin e 20 shteteve më të lumtura në botë

Kosova është renditur si shteti i 16-të më i lumtur në botë.
Kështu tregojnë të dhënat e Indeksit Global të Lumturisë, të nxjerra nga organizata Gallup.
Sipas raportit, Kosova gjendet në mesin e 20 shteteve më të lumtura globalisht, ndërsa vlerësimi mesatar i jetës për kosovarët është 6.91 nga 10.
Në nivel rajonal, Kosova del si një nga vendet me performancën më të mirë në Ballkan, duke lënë pas shumicën e vendeve të rajonit për nga niveli i lumturisë së qytetarëve.
Në këtë raport janë përfshirë gjithsej 147 shtete të botës, dhe ai bazohet në disa faktorë kryesorë për matjen e lumturisë, si: mbështetja sociale, jetëgjatësia, liria, bujaria dhe perceptimet e korrupsionit.
Për krahasim, Shqipëria është renditur në vendin e 86-të, duke pasur një nivel më të ulët të lumturisë së qytetarëve.
Ndërsa shteti më i lumtur në botë është shpallur Finlanda.
Për të përcaktuar renditjen e shteteve për nga shkalla e lumturisë, Gallup u kërkon të anketuarve në 147 vende të vlerësojnë jetën e tyre duke përdorur imazhin e një shkalle, ku jeta më e mirë e mundshme vlerësohet me 10, ndërsa më e keqja me 0. Me këtë rast, secili i anketuar jep një përgjigje numerike në këtë shkallë që ndryshe njihet si Shkalla Cantril.