​Kosova organizon raundin kualifikues të evropianit U17 në volejboll

Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka përcaktuar Kosovën si organizatore të raundit të dytë kualifikues të Kampionatit Evropian për grupmoshën U17, i cili do të zhvillohet mes datave 21-23 prill, 2023.
Ndeshjet do të zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, derisa ky është një lajm fantastik për komunitetin kosovar të volejbollit, me FVK-në që jo për të parën herë merr dritën e gjelbër nga institucioni më i lart evropian i volejbollit për të organizuar një garë të një niveli jashtëzakonisht të rëndësishëm siç është kjo.
Kosova është pjesë e Grupit E, së bashku me Ukrainën, Belgjikën dhe Estonin dhe nuk do të ketë përballje të lehta përballë skuadrave që i ka në grup. Vashat kosovare U17, të cilat bënë historinë duke arritur në këtë fazë falë paraqitjeve brilante në Ankara të Turqisë nën drejtimin e përzgjedhësit Donald Suxho, do ta kenë avantazhin e zhvillimit të ndeshjeve si nikoqire.
FVK do të kryejë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij raundi kualifikues.

Back to top button