Kosova përfiton 6 milionë euro, pritet të ndihmohen 600 biznese

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka nënshkruar marrëveshje financiare 6 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW përmes së cilës do të ndihmohen 600 biznese, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme në rritje të eficiencës për konsum të energjisë dhe do të krijohen 1700 vende të reja pune.
Kryesuesi i bordit të anëtarëve të këtij fondi, Rinor Gjonbalaj, tha se kjo marrëveshje do t’i hapë rrugë një dritare të gjelbër për energji të ripërtërirë. Ai tha se fondi deri më tani ka garantuar kredi në vlerë prej 370 milionë euro dhe ka ndihmuar në qasjen në financa për rreth 7000 biznese.
“Përmes kësaj dritare do të ndihmohen bizneset në rritje të eficiencës në konsum të energjisë dhe investimet në rigjenerimin e energjisë përmes paneleve solare. Kjo dritare gjithashtu bëhet në koordinim me MCC-në, përmes kësaj presim të përfitojnë rreth 600 biznese kosovare dhe të krijohen 1700 vende të reja të punës dhe presim deri 2025 për të distribuuar kredi të reja deri në 36 milionë euro”, tha ai.
Menaxheri i kompanisë gjermane KfW për Evropën juglindore, Klaus Martin Muller, tha se qëllimi i përbashkët i kësaj marrëveshje është mbështetja e qeverisjes ekonomike në Kosovë.
“KfW është krenare që është pjesë e këtij partneriteti, ne kemi qenë mbështetës të Fondit për Garanci Kreditore që nga fillimi. Po ashtu duke i kushtuar vëmendje të veçantë disa sektorëve që zakonisht i nënvlerësojmë, si është bujqësia, por isha i lumtur që është një vëmendje i veçantë edhe për sipërmarrësin e grave në biznes. Pra qëllimi i përbashkët është të mbështetim qeverisjen ekonomike në Kosovë. Të gjithë e dini se ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme duhet të luajnë një rol të veçantë. Kam menduar se në Gjermani luajnë një rol të rëndësishëm për punësim atje, por dëgjova se në Kosovë 99 për qind e punësimit vjen nga këto ndërmarrje. Kjo tregon sa është e rëndësishëm instrumenti për garanci kreditore për Kosovën”, deklaroi ai.
Pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes ishte edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili premtoi mbështetje të ekzekutivit ndaj Fondit për Garanci Kreditore.
“Tashmë kemi mbështetur fondin me rreth 5 milionë euro për pagesën e tarifave që ato mos të detektohen në normat e interesit. Por të përfitojnë huamarrësit dhe bizneset nga garantimi i kredive. Kurse së fundmi kemi ratifikuar edhe në Kuvend një marrëveshje që siguron fonde shtesë edhe 40 milionë euro. Është shumë me rëndësi të kemi institucione të tilla, marrë parasysh që mënyra si është organizuar sistemi financiar dhe korniza si përcakton kreditimin është më shumë e fokusuar në menaxhim të riskut. Pasi sistemi financiar është i përqendruar në mbështetjen e projekte që kanë më pak rrezik. Prandaj është e nevojshme dhe domosdoshme që ketë këtë institucione të tilla se Fondi që e shton edhe këtë elementit zhvillimor”, tha ai.
Lansimin e dritares së gjelbër e mirëpriti edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Sot jemi duke lansuar një dritare të re. Dritaren për të gjelbër e cila do të mbështetës kompanitë të investojnë në eficiencën e energjisë dhe burimet e ripërtërira të energjisë. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të jenë në gjendje të rimëkëmben nga ndikimet ekonomike të COVID-19 në mënyrë të qëndrueshme mjedisore. Po ashtu dua të theksoj se qeveria ime vazhdon me KfW të jetë mbështetës shumë i fuqishëm i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore”, deklaroi ambasadori Rohde.
Ndërsa, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se arritja e kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rritjen e potencialit për të garantuar kredi të reja.
“Granti që po dhurohen sot prej KfW do të mundësojë rritjen e mëtejme të potencialit për të garantuar kreditë e reja, kështu do të ketë rritje të përfituesve nga aksionet që lëshon ky institucion”, tha ai

Back to top button