Gjykata Themelore e Prishtinës, për TV21 ka njoftuar, se nuk lejon ekstradimin e Afrim Isamiloviçit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në çështjen e ekstradimit të të kërkuarit për ekstradim A.I. nga Republika e Maqedonisë Veriore, i kërkuar për tu ekstraduar nga Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë Veriore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për TV21.

Refuzimin për ekstradim, e bazojnë në mungesën e fakteve dhe provave dhe në dispozitat ligjore, të cilat siç sqarojnë, pamundësojnë ekstradimin e Ismailoviçit.

“Gjykata pas shqyrtimit të kërkesës për ekstradim si dhe pas shqyrtimit dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë të pabazuara, pasi që faktet dhe provat nuk ofrojnë arsye për të lejuar ekstradimin e të kërkuarit A.I. dhe po ashtu në rastin konkret ekzistojnë pengesat ligjore që pamundësojnë ekstradimin e të njëjtit”, thuhet më tej në përgjigje.

Afrim Ismailioviç kërkohet të ekstradohet nga organet e Maqedonisë së Veriut, pasi është i dënuar me burg në rastin gjyqësor “Monstra”. Ekstradimi u kërkua nga autoritetet e vendit, pasi i njëjti u arrestua kohë më parë në Prishtinë pas një aksidenti./TV21