Kosova rrezikon t’i humbas fondet ndërkombëtare, paralajmërohet ulja e pagave në sektorin publik

 

Kosova rrezikon t’i humbë rreth 300 milionë euro nga marrëveshjet financiare ndërkombëtare nëse vazhdohet kështu të kundërshtohet ratifikimi në kuvend.

Ministria e Financave paralajmëron uljen e pagave në sektorin publik përfshirë këtu edhe pagat e deputetëve që aktualisht kanë mbi 2 mijë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një intervistë për kp ka thënë se në rast se këto marrëveshje financiare nuk kalojnë, duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve ose zvogëlimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Krasniqi ka thënë se pa u votuar rishikimi i buxhetit 2020, nuk do të zbatohet as pakoja për rimëkëmbje ekonomike e as pakoja emergjente fiskale.

“Pjesë e rishikimit është edhe pakoja shtesë prej 620 milionë euro. Në rast se këto marrëveshje nuk kalojnë, atëherë duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve. Këto shpenzime ose duhet me i zvogëluar shpenzimet e rregullta ose duhet me zvogëluar pjesën që ka të bëjë me pakon për rimëkëmbjen ekonomike. Të dyja janë të dhimbshme”, thotë Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se disa prej pesë marrëveshjeve financiare ndërkombëtare që janë duke pritur për ratifikim që prej shumë kohesh, rrezikohen të humbin fondet dhe të pësoj ekonomia e Kosovës.

“Rrezikon një pjesë për me humb, një pjesë rrezikohet në kuptimin e afatit kohor. Kurse, rreziku më i madh është që ne nuk kemi mundësi dhe po e humbim një shans kushtimisht të art që këto mjete me i vendosur në kohë, në ekonomi… Qeveria kësaj radhe nuk është duke ndarë fonde për ndonjë projekt të ri kapital, por është në përpjekje se si me ndihmuar qytetarin përmes pakos emergjente, e kryesisht për me ndihmuar sektorin privat për me e rikthyer së paku atë prodhim që e kemi pasur, ndryshe në rast se humbet tregu te sektori privat është vështirë me e rikthye. Krejt fokusi ynë është me u sigurua stabiliteti makro fiskal, por në të njëjtën kohë, me i sigurua që edhe sektori privat do të mund të funksionoj, sepse në fund të fundit kjo qeveri vjen e shkon, por kushdo që do të vjen në interesin e të gjithëve është që me pasur një sektor privat të forcuar dhe stabil pasi që varen edhe të hyrat publike prej sektorit privat”, pohon ai.

Sa i përket zbatimit të pakos emergjente ose masës 3a dhe masat për mbështetja për bizneset, Krasniqi pohon se nuk do të ekzekutohen këto paga pa u rishikuar buxheti në Kuvend, pasi sipas tij, nuk ka asnjë mundësi ligjore.

“Nuk ka asnjë mundësi ligjore që të bëhen pagesat për pjesën e mbetur të pakos emergjente pa kaluar rishikimi. Ne jemi të përgatitur si Ministri e Financave, fondet janë në kuadër të procesit të rishikimit. Fondi për rimëkëmbje ekonomike, duke përfshirë edhe pjesën e pakos emergjente mjetet. Janë në momentin që rishikimi kalon, ne si Ministri Financave jemi të gatshëm me i kryer të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me pakon emergjente brenda një afati shumë të shkurt. Obligimet na kanë mbetur edhe për muajin e parë masa për pagesën e qirasë. Pra, jemi të gatshëm… dhe kishim me pasur mundësi financiarisht me i ofruar diku 80 deri 100 milionë për pagesat e punëtorëve dhe të sektorit privat brenda pakos emergjente”, shprehet Krasniqi.

Zëvendësministri i Krasniqi thotë se rishikimi i buxhetit ka shkuar në kuvend, dhe kërkon nga deputete që ta votojnë pasi që është në interes të të gjithëve.

Për mos implementim të pakos emergjente, ai thotë se mund të rritet edhe shkalla e papunësisë.

“Duhet urgjent rishikimi për me rifillua me u ringjallë ekonomia. Vonesa për rishkim të buxhetit sot do të sjellë dëme të mëdha për qytetarët të cilët janë të varur prej atyre parave, 170 euro. Ata janë buzë krizës dhe mund të ndikoj që të rritet papunësia. Sepse në rast se ne nuk krijojmë kapital të freskët për sektorin privat, ata do të humbin vendet e punës, bizneset do të humbin tregun dhe skemat sociale do të zgjerohen. Kjo do të jetë një barrë për këtë qeveri dhe për qeveritë e ardhshme. Andaj apeli imë ëhstë që t’i lëmë anash inatet, sepse asnjë përfitim individual askush nuk e ka. Ne nuk jemi shtyrë me vendos këtë apo atë projekt e me dal me fitua vota. Ne po kërkojmë t’i kryemë ato obligime që i ka marrë qeveria e kaluar dhe të krijojmë bazën për vitin 2021”, thotë ai.

Mësohet se deri tash vetëm 50 përqind e pakos emergjente fiskale është zbatuar, derisa ende nuk ka nisë së implementuari pakoja për rimëkëmbje ekonomie./kp

 

Back to top button