Fillon Java e Imunizimit në Kosovë 2018

Fillon Java e Imunizimit në Kosovë 2018

Kosova është ndër 42 vendet që kanë ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit, duke qenë që për 15 vjet nuk ka pasur raste të fruthit në Kosovë, falë shkallës së lartë të vaksinimit kundër fruthit dhe rubeolës në 95 për qind, me çka është mundësuar edhe rënie e intensiteteit të epidemisë së fruthit që u shfaqë në gjysmën e dytë të dhjetorit 2017, duke siguruar kështu një përgjigje efektive ndaj epidemisë.

Kështu u tha sot në shënimin e fillimit të Javës së Imunizimit në Kosovë 2018, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Me një shkallë të përgjithshme të imunizimit të fëmijëve në Kosovë mbi 95 për qind që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI), ky program konsiderohet si një prej storieve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare, ndërsa pjesëmarrësit në këtë takim ritheksuan rëndësinë e mbajtjes në këto nivele të programit, që e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit.

Imunizimit me prioritet të lartë

Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa, tha se Programi i Zgjeruar i Imunizimit është me prioritet të lartë.

“Ministria e Shëndetësisë ka miratuar politikat e imunizimit, planet për sigurimin e vaksinave dhe materialin tjetër të hartuar dhe implementuar nga IKSHP. Për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i PZI është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt, sidomos e fëmijëve të grup-moshës 0-12 muaj…Ne po realizojmë me plot sukses edhe programe të veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e serbë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vaksinim”, tha Musa.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se falë PZI, në Kosova nuk ka sot paralizë të fëmijëve, nuk ka difeteri nga 1981 si dhe është përqafuar programi për eliminimn de fruthit dhe kontrollin e rubeolës kongjenitale.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, tha se imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve, ndërsa ky program do të mbështetet nga UNICEF-i me qëllim që të arrihen edhe grupet e cenueshme dhe të promovohet imunizimi si intervenim i lirë, efektiv dhe me rezultate shumë të mira në funksion edhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Shefja e Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ardita Tahirukaj, tha se imunizimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët.

“Çdo person meriton të mbrohet nga sëmundjet te parandalueshme me anë të vaksinave dhe luan një rol jetësor në mbrojtjen e të tjerëve duke zgjedhur të vaksionohet. OBSh bashkohet me autoritetet kosovare duke ju kërkuar të gjithëve, për t’u siguruar që familja e tyre të jetë plotësisht e vaksinuar dhe plotësisht e informuar rreth vaksinave dhe sëmundjeve të rrezikshme që ato i parandalojnë”, tha Tahirukaj.

Një prezantim të detajuar rreth Programit të Zgjeruar të Imunizimit e ka bërë shefja e Departamentit të Epidemiologjisë nga IKSHP, Isme Humolli, ku ndër të tjera është theksuar edhe aktivitetet e ndërmarra ndër vite dhe hartimin e Planit Strategjik të Imunizimit, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Ministria e Shëndetësisë.