Kosova shënon progres në fushën e ndërmjetësimit

Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve-Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC-MCM) ka publikuar të premten hulumtimin “Reforma e kornizës ligjore, praktika dhe sfidat e ndërmjetësimit në Kosovë”. Aty u tha se Kosova ka shënuar progres në fushën e ndërmjetësimit, sidomos në aspektin ligjor, mirëpo ende ka mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve për procedurën e ndërmjetësimit. Në anën tjetër, në vitin 2022 është rritur edhe numri i rasteve që gjykatat dhe prokuroritë kanë referuar për ndërmjetësim.
Menaxherja e projekteve në ADRC, Zana Syla, tha se ky hulumtim synon të shtjellojë kornizën ligjore dhe gjendjen faktike të ndërmjetësimit.
“E trajton apo shtjellon kornizën ligjore të ndërmjetësimit në Kosovë, mbase për herë të parë në mënyrë kaq të gjerë, bashkë me benefitet, ndryshimet apo risitë që i ka kjo kornizës. Ajo synon të raportojë edhe implementimin e procedurës së ndërmjetësimit në nivel të Kosovës, po ashtu statistikat e ndërmjetësimit, po aq sa ato kanë mundësi që të merren”, tha ajo.
Ndërkaq, autorja e hulumtimit, Florentina Hajdari, tha se Kosova ka shënuar progres në fushën e ndërmjetësimit. Sipas saj, kjo është parë edhe në uljen e lëndëve që institucionet gjyqësore dhe prokuroritë themelore kanë pasur si ngarkesë brenda tyre.
“Vitet e fundit me ardhjen në fuqi të Ligjit të ndërmjetësimit, Kosova ka shënuar progres, sidomos me trajtimin apo rritjen e lëndëve të referuara nga gjykatat dhe prokuroritë themelore. Gjithashtu ka shënuar progres në uljen e lëndëve që institucionet gjyqësore dhe prokuroritë themelore kanë pasur si ngarkesë brenda tyre”, theksoi Hajdari.
Në anën tjetër,kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ganimete Xhelili, përmendi si sfidë mungesën e referentave në zyre të ndërmjetësimit në Gjykata.
“Është evidentuar se jo të gjithë këta e kanë punë primare, referimin e rasteve ose menaxhimin dhe administrimin e atyre zyrave. Kjo paraqet një pengesë, qoftë në raporte, punë që kryhet apo komunikim me palë dhe ndërmjetësues. Mënyra e përzgjedhjes dhe ndarjes së rasteve në këto mënyra të ndërmjetësimit është evidente, referimi i rasteve dhe të tjera”, deklaroi ajo.
Në tryezën e sotme u adresuan edhe disa rekomandime karshi institucioneve të drejtësisë, ku mes tjerash u kërkua që të publikohet dhe shpërndahet sa më shpejtë regjistrin e ri të ndërmjetësuesve të Kosovës, bashkë me profilizimet e tyre.

Back to top button