Kosova synon BE-në por kusht janë reformat

Dhjetori i këtij viti është koha do të dorëzohet aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mediat ndëkrombëtare bëri të ditur synimin e Kosovës për aplikim. Këshilltari politik i zëvëndëskryeministrit Besnik Bisilmi, Klisman Kadiu, për RTV21 ka thënë se Kosova ka treguar gatishmërinë për të qenë pjesë e BE-së duke përmbushur dhe zbatuar reformat e nevojshme për integrim.
“Aplikimi do të dorëzohet para fundit të këtij viti. Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, ka thënë Kadiu.
Synimi i Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE u mirëprit nga qytetarët.
Në partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje shprehen optimist se aplikimi për anëtarësim në BE do të pranohet. Zëvëndëskryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se kanë treguar përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve për integrim në BE.
“Vetë fakti që po shkojmë drejt këtij hapi tregon se si shtet kemi bërë përpjekje të mëdha që në kuadër të institucioneve tona të bëhet përmbushja e masave dhe obligimeve që dalin prej MSA dhe së fundmi është miratuar edhe në Kuvend edhe plani kombëtar për MSA-në, po ashtu kemi treguar që jemi të gatshëm të zbatojmë agjendën e reformave evropiane apo ERA-n”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Anëtarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se e mbështesin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE por problem i sheh 5 vendet mosnjohëse të Kosovës.
“Ne e përkrahim si kerkesë dhe do ta shfrytëzojmë si opozitë edhe takimet… sepse është në interes të Kosovës, por kërkohet një konsensus i vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe është një hendek i madh…”, ka thënë Kadrijaj.
Për Arbër Fetahun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, aplikimi Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE nuk ka ndonjë pasojë. Por sipas tij, qeveria duhet t’i fuqizojë reformat e nevojshme për integrim në BE dhe të ketë mbështetjen e shteteve të fuqishme.
“Nuk ka ndonjë lloj pasojë që Kosova mund ta ketë. Është mirë që kur aplikimi të bëhet të ketë të paktën një mbështetje nga shtetet kryesore anëtare të BE-së një mbështetje publike, në mënyrë që aplikimi të merr më shumë vlerë. Qeveria duhet t’u fuqizojë edhe reformat…”, ka thënë Fetahu.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE vjen në një kohë kur ende nuk është futur në rend dite aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës si dhe në kohën kur ende nuk ka një vendim për liberalizmin e  vizave./21Media

Back to top button