Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka arritur sonte marrëveshje mirëkuptimi me autoritet kroate dhe ato malazeze, që të lejojnë kalimin e autobusit në të cilin ndodhen më shumë se dhjetë shtetas kosovarë, të nisur një ditë më parë nga Italia.

Sipas njoftimit të MPJD-së, agjencia e cila ka organizuar udhëtimin, ishte nisur nga Italia drejt Kosovës pa kërkuar leje nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe pa i ditur masat që janë në fuqi në vendet nëpër të cilat planifikonte të kalonte transit.

“Autobusi është ndaluar nga autoritetet kroate, ngase disa nga udhëtarët nuk posedonin dokumentacionin e rregullt (vizë transit ose Schengen), dhe aty ishin njoftuar po ashtu se Mali i Zi nuk i ka hapur kufijtë me Italinë (prej nga ishin nisur), ngase ky vend konsiderohet ende si vatër e COVID-19. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes kanaleve të saj diplomatike, ka arritur të sigurojë nisjen e shtetasve kosovarë të ngujuar në kufirin midis Kroacisë dhe Sllovenisë prej më shumë se 30 orësh.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në fund MPJD-ja fton të gjithë bashkatdhetarët që përpara se të nisen drejt vendlindjes, të kontaktojnë Misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, pasi shumë shtete, si pasojë e pandemisë, kanë ende në fuqi disa masa që duhet plotësuar gjatë kalimit transit./21Media