Këngëtarja e re shqiptare, e cila karrierën po e zhvillon në Suedi, Bleona Hasani me emrin artistik Bleonah është në përgatitje të projektit të ri muzikor në gjuhën angleze, i cili do të titullohet “Honest”.

Babai i saj, Besimi për portalin rtv21.tv tregoi se për tekstin dhe muzikën është përkujdesur vet Bleona në bashkëpunim me produksionin Jeminmusic në Suedi. Po ashtu ai bëri të ditur se kënga do të lansohet brenda këtij muaji.

15 vjeçarja nga Mitrovica, jeton në Suedi dhe po hyn në tregun muzikor suedez duke korrur suksese të njëpasnjëshme.

Ky nuk është projekti i parë muzikor i Bleonës në gjuhën angleze, në gusht të vitit të kaluar lansoi këngën “Good Vibes”, e në janar të po të njëjtit vit “No one like you”.

Ndërsa, bukuroshja nga Mitrovica kishte realizuar edhe projekt në gjuhën shqipe në bashkëpunim me Ymer Bajramin , “Takimi i fundit”. Kënga ka tematikë prekëse për mërgimin. Teksti i këngës flet për një vajzë të vogël, e cila jeton në gurbet dhe e cila me padurim pret të takohet me gjyshin e saj në Kosovë.

Bleonah me muzikë ka filluar të merret qysh në moshën 11 vjeçare. Më parë në një intervistë për portalin rtv21.tv, ajo është zotuar se përveç tregut të Kosovës dhe Suedisë synon edhe atë botëror./21Media