Kosova dhe Maqedonia e Veriut shumë shpejtë pritet të kenë mbledhje të përbashkët qeveritare me qëllim të zhvillimit të ndërsjellët ekonomik. Por, para kësaj, javën e ardhshme do të takohen krerët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në të ashtuquajturin “mini-Shengeni” ballkanik, ku pritet t’i dërgohet ftesë Kosovës për përfshirjen në këtë nismë rajonale.

Në vizitën e parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë të përbashkët me homologun e tij, Zoran Zaev tha se kanë pasur dakordim për avancim të mëtutjeshëm ekonomik ndërmjet dy vendeve.

“Më vjen mirë që në mbledhje e përbashkët që kishim kemi një dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejtë ndërtimit të pikës së përbashkët kufitare. Lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar që do të transferojmë rajonin në furnizimin me energji në këtë drejtim. Më vjen mirë që keni avancuar me procedura në ndërtimin e autostradës deri në kufi, ne e kemi përfunduar pjesën tonë. Besoj se duke avancuar edhe me pikën e kalimit kufitar ne e lidhim Prishtinën me Shkupin në më pak se 1 orë të lëvizjes. Gjithashtu mirë që ka gatishmëri edhe nga ana juaj për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Prizren”, tha ai.

Hoti u shpreh se me padurim po presim krijimin e rrethanave për mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive për rishikimin e 40 marrëveshjeve dhe identifikimin e mundësive tjera për marrëveshje të reja.

“Është bërë një punë e mirë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona. Kemi 40 marrëveshje të nënshkruara. Pres me padurim që sapo të krijohen kushtet të rishikojmë gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri tash për të parë zbatimin e tyre dhe identifikimin e mundësive të tjera për marrëveshjet e reja”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Zaev tha se vizita e sotme e kryeministrit Hoti është dëshmi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet vendeve.

“Kjo është një tregues që vendet tona kanë interes që vendet tona edhe më tej t’i forcojnë raportet bilaterale, bashkëpunimin në të gjitha fushat në interes të përbashkët. Në këtë drejtim presim intensifikim të dialogut politik dhe mbajtjen e seancës së paralajmëruar të qeverive të dy vendeve në momentin që kushtet do të lejojnë atë. Kjo ngjarje do të jap impulse pozitive për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona dhe bashkëpunim gjithëpërfshirëse. Sot dhamë angazhimet tona për përgatitjet të kësaj mbledhje ndërqeveritare për kontributin dhe përforcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërfiqësore….Afërsinë tonë gjeografike edhe më shumë do të afrojë ndërtim i autostradës Shkup-Prishtinë. Kjo autostradë ka kuptim strategjik për vendet tona, por edhe për rajonin në tërësi. Këtu kam kënaqësi që në anën tonë vijojnë përgatitjet për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë…për Maqedoninë e Veriut, Kosova është njëri prej partnerëve tanë më të rëndësishëm, shkëmbimi tregtar mes vendeve tona zhvillohet lirshëm, pa doganime sipas marrëveshjes së CEFTA-së dhe marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Për këtë falsin më shumë numrat. Maqedonia e Veriut është një nga pesë vendet që Kosova zhvillon shkëmbimin tregtar më të lartë”, tha ai.

Kryeministri maqedonas bëri të ditur se të premten e javës së ardhshme do të takohen me liderët tjerë ballkanik, përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq kur pritet t’i bëjnë ftesë Kosovës për përfshirje në këtë nismë rajonale.

“Presim që Kosova t’i bashkëngjitën bashkëpunimit rajonal të cilin e udhëheqin Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia që karakteri i saj të jetë prioritet i saj për rajonin pa dallim për çështjet e hapura politike. Të premten e ardhshëm do të kem takim me kryetarin Vuçiq dhe kryeministrin Rama ku një nga pikat do të jetë kjo me qëllim që të dërgojmë edhe një ftesë të përbashkët. Kjo gjithsesi para të gjithave është në interes të qytetarëve tanë për implementimin e katër lirive në Ballkanin perëndimor”, tha ai.

Krahas kësaj, ai e përkrahi edhe marrëveshjen e Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E përshëndesin marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e cila u arrit në Uashington. Të njëjtën kohë i japim përkrahje dialogut Kosovë-Serbi që është iniciuar nga BE-ja. Ne përkrahim çdo zgjidhje që do të garantojë dhe përforcojë paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Mundëson ardhmëri më të ndritur për qytetarët dhe do të përshpejtoj procesin në anëtarësim në BE. Në këtë rast dua të shpreh përkrahjen tonë të sinqertë që Kosova sa më shpejtë të arrijë progresin në integrimin në BE përmes MSA dhe arritjen e liberalizimit të vizave”, tha ai.

Pas këtij takimi, kryeministri Hoti pritet të ketë një agjendë të ngjeshur me takime të krerëve institucional tjerë të Maqedonisë së Veriut.