KOSTT kërkon nga qytetarët kursimin e energjisë elektrike

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka njoftuar se si rrjedhojë e mosbalancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance/devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale, gjatë javëve dhe muajve të fundit.
“Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SëissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E i kanë tërhequr vërejtjen KOSTT/Kosovës si Zonë Rregulluese, për ndërprjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian”, thuhet në njoftimin e KOSTT.
KOSTT ka bërë të ditur që konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në këtë periudhë (korrik-gusht 2022) sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi I përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.
“Në përputhje me përgjegjësitë ligjore KOSTT është i obliguar që të ndërmarr të gjitha veprimet për të balancuar sistemin në varësi nga konsumi, gjenerimi dhe importi i siguruar nga palët përgjegjëse brenda Zonës Rregulluese të Kosovës për të mos cenuar sigurinë e operimit paralel me rrjetin interkonektiv Evropian”, vazhdon njoftimi.
Sipas KOSTT, me qëllim të balancimit të sistemit në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit sipas masave dhe procedurave operative që parashihen me Kodin e Rrjetit, KOSTT ka udhëzuar nga sot fillimin e zbatimit të kufizimit në furnizim si masë e fundit, deri në stabilizim të situatës, me qëllim të ruajtjes së integritetit të sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe të sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale.
“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës si reflektim i krizës globale energjetike kërkon mirëkuptim dhe mobilizim të të gjithë fakorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button