​KPK në vështirësi financiare, kërkohet rritje e buxhetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po përballet me vështirësi financiare për shkak të mungesës së buxhetit, derisa drejtuesit e këtij institucioni kanë theksuar nevojën për rritje të tij dhe mbulimin e obligimeve ekzistuese.

Në mbledhjen që po mban KPK, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka kërkuar mundësi për fleksibilitet në trajtimin e pagesave për sekretarët e komisioneve, në rast të rritjes së buxhetit, raporton KosovaPress.

“Ne e kemi pranuar qarkoren buxhetore në të gjitha kategoritë shpenzimet që ka KPK. Mirëpo në qoftë se kemi ndonjë lëvizje sa i përket shtimit të buxhetit, atëherë këshilli mundet edhe me një vendim të veçantë me u përfshi sekretarët e komisionit për pagesë nga koha kur ata angazhohen apo në mënyrë retroaktive kur komisionet janë funksionale sa i përket miratimit të kësaj rregullore”, ka thënë ai.

Ndërkaq, për këtë, kryesues i KPK-së, Arian Gashi ka theksuar se gjendja aktuale financiare paraqet sfidë KPK-në, duke shtuar se synimi i tij është gjetja e zgjidhjeve për tejkalimin e këtyre vështirësive.

“Jemi në një situatë kur këshilli është në vështirësi financiare për shkak të mungesës së buxhetit dhe nuk jam këtu që këshillin të fus edhe më tutje në vështirësi, por të gjej rrugë t’i eliminoj këto vështirësi. Kjo do të jetë pjesë e mandatit tim, por edhe gjithë neve këtu që si këshill të bëjmë përpjekje në rritjen e buxhetit. Buxhetin ne nuk e përcaktojmë. Po shpresoj se do të ketë rritje të buxhetit në çdo rishikim dhe vendim që do të merret në të ardhmen, dhe në mënyrë që edhe obligimet tona aktuale që kemi, e që fatkeqësisht me këtë buxhet që kemi nga viti në vit po hymë me obligime të vitit paraprak…Për çdo punë shtesë çdo zyrtar duhet të ketë pagesë shtesë”, ka thënë ai.

Back to top button