Këta janë kandidatët e certifikuar nga KQZ për zgjedhjet në veri të Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Dy partitë e mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.

Kandidatët e certifikuar të PDK-së janë Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut). Kurse, kandidatët e certifikuar të Vetëvendosjes janë: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).

Aleksandër Jabllanoviq, i cili njëherësh është kryetar i partisë Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.

Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq.

Në këto zgjedhje, është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviq, e cila garon për kryetare të komunës së Zveçanit.

KQZ-ja certifikon sot kandidatët për kryetar të katër komunave në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot pritet të certifikojë kandidatët për kryetar të katër komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lajmi është bërë i ditur për kp nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky institucion do të mbajë mbledhje në orën 13:00 të ditës së sotme (28 nëntor).

Më tej, Elezi ka thënë se pas përfundimit të procesit të aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, i cili është përmbyllur më 25 nëntor, KQZ-ja ka komunikuar me institucionet e ndryshme shtetërore për të verifikuar nëse kandidatët e paraqitur janë në pajtueshmëri me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Ky nen, tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjestar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it. Gjithashtu, sipas KQZ-së, është komunikuar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat.

Sipas KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje (15 nëntor – 25 nëntor), janë pranuar 6 aplikime.

– Iniciativa Qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut;

– Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok;

– Partia Kosovskih Srba ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit;

– Një kandidat i pavarur;

– Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok;

– Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button