KQZ nis verifikimin e votuesve jashtë vendit, GERMIN e quan veprim skandaloz

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar të gjithë ata që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit.

KQZ nëpërmjet një njoftimi thotë se po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre.

“KQZ do të vazhdojë të kontaktojë përsëri aplikuesit në mënyrë që t’iu mundësojë verifikimin e aplikimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, organizata GERMIN thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar verifikimin përmes telefonit të aplikuesve për regjistrim për votim nga jashtë vendit me telefonata që paraqiten ‘ANONIME’ në telefonat e aplikuesve.

“Këtë gjë na e konfirmojnë raportimet e bashkatdhetarëve tanë. Sikur të mos mjaftonte vendimi i padrejtë e kundër kushtetues i KQZ-së, zbatimi i tij është skandaloz. Kërkojmë nga KQZ ta ndaloj menjëherë këtë proces që cënon seriozisht të drejtën e votës për pjesëtarët e diasporës”, thuhet në reagim.

Back to top button