Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi njoftoi përmes një konference për media se sipas raportimeve nga komisionet komunale të zgjedhjeve nga komuna e Podujevës dhe Mitrovicës se veriut të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe përcaktuar me ligj, raporton portali rtv21.tv.

Numri i qytetareve me të drejt vote në Komunën e Podujevës është 87 mijë e 381, ndërsa numri i Qendrave të Votimeve 45 me gjithësej 115 Vendvotime.

Në veri të Mitrovicës të drejt vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë, në 7 Qendra Votimi me 27 Vendvotime.

Qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës dhe Podujevës, nën masat anit-covid, sot do të kenë të drejt të zgjedhin kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit

Gjithashtu, edhe komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në fund KQZ kërkoi respektimin e masave dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore./21Media