"Kam frikë se nëse ndodhë eliminimi politik i tij, do ta hapë pistën e pazareve për Kosovën"

“Kam frikë se nëse ndodhë eliminimi politik i tij, do ta hapë pistën e pazareve për Kosovën”

Analisti Milazim Krasniqi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, ka thënë se Haradinaj do të mbahet mend pasi pengoi projektin e zhbërjes së shtetit të Kosovës.

“Dorëheqja e Ramush Haradinajt, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale është për keqardhje të thellë, sepse mund të mos jetë vetëm ai cak i goditjes, po i gjithë shteti ynë. Si ka ardhë puna deri këtu është çështje që do të diskutohet gjatë, më gjatë se sa që janë jetët tona, siç do të jenë edhe pasojat e (keq)shtetndërtimit. Pavarësisht prej fatit politik e jetësor, Haradinaj do të mbahet mend që deri sa ishte në detyrë, e pengoi projektin e zhbërjes së shtetit të Kosovës dhe rikthimin e ndikimit rus në këto hapësira.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai tutje ka shprehur drojën se nëse Haradinaj do të eliminohet nga skena politike do të hapen pazaret që do ta qonin shtetin drejt zhbërjes.

“Për karrierën e një politikani, që ka qeverisur me duar të lidhura, është trashëgimi solide. Duke uruar pafajësinë e tij, sot jam shumë më skeptikë se sa dje për ekzistencën e këtij shteti. Vërtet nuk dëshiroj që me asnjë fjalë ta rëndoj gjendjen edhe ashtu të tejrënduar, por kam frikë se nëse ndodhë eliminimi politik i tij, do ta hapë pistën e pazareve që Kosovën do ta shpienin pashmangshëm drejt zhbërjes.”, ka përfunduar Krasniqi.

Ramush Haradinaj dje ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për arsye se është ftuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar. Me dorëheqjen e tij ka rënë edhe qeveria./21Media