Krasniqi akuzon Kurtin: Sulmon veteranët tanë, i thur elozhe Ivanoviqit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për sulme ndaj veteranëve të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo është politikë “e paramenduar qeveritare”. Ia ka përmendur edhe deklaratën për politikanin e ndjerë serb, Oliver Ivanoviq.
Krasniqi ka thënë se Qeveria ia ka ndaluar fjalën kryetarit të Reçakut, Adem Ramadani, në akademinë përkujtimore për 24-vjetorin e masakrës së Reçakut. Sipas tij, kjo është bërë vetëm pse Ramadani ka pasur në mend të përmendte ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Duhet të jesh i paskrupullt dhe skajshmërisht mosmirënjohës, si Albin Kurti, që të të pengojë fjala e luftëtarëve të lirisë dhe prezenca e tyre nëpër aktivitete publike. Ndalimi nga ana e Qeverisë i fjalës së Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, vetëm pse ai do të përmendte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim, fatkeqësisht, është në vazhdën e sulmeve të njëpasnjëshme që ky kryeministër po u bën vlerave të luftës çlirimtare dhe veteranëve tanë. Gabim mund të quhet kur ndodh një herë, por kur diçka e tillë përsëritet në vazhdimësi, atëherë kemi të bëjmë me qasje e qëllim, me politikë të paramenduar qeveritare”, ka thënë Krasniqi.
Ai më pas ka akuzuar Kurtin për lëvdata ndaj Ivanoviqit.
“Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i ‘Rojave të Urës’ që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./21Media 
Back to top button