Krasniqi deklarohet i pafajshëm: Më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi

 
Në paraqitjen e tij të parë pas akuzave të reja të prokurorisë kundër tij dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se ndjen turp që jeton në një kohë ku sipas tij shkatërrohet jeta e njerëzve që guxuan të luftojnë për liri e pavarësi.
“Mua më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë, një regjim ndër më kriminelët e pas Luftës së Dytë Botërore, madje në atë kohë nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidial sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se është krejtësisht i pafajshëm dhe ka kërkuar përshpejtim të procesit gjyqësor.
“E kam lexuar aktakuzën dhe këtë shtesën e fundit dhe mundem me thënë me bindje të plotë se e kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time, prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mban kaq gjatë padrejtësisht në paraburgim”, ka shtuar ai.

Back to top button