Infektologu Valbon Krasniqi duke u uruar festën e Kurban Bajramit besimtarëve myslimanë, ka bërë apel që kjo festë të festohet në familje pa kontakte me njerëz të tjerë.

Ai përmendi edhe një herë se Kosova po kalon situatë të rëndë me pandeminë Covid-19, me rritje të numrit të të prekurve e po ashtu edhe të të vdekurve.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Jemi duke kaluar nëpër situatë shumë, shumë të rëndë me pandeminë COVID-19. Me qindra pacientë nëpër spitalet tona janë duke kaluar momente të vështira në përballje me Koronavirusin, ndërkohë që shumë të tjerë tashmë kanë humbur jetën. Andaj, edhe sot, në ditën e Festës së Kurban Bajramit jemi të detyruar të ju bëjmë thirrje sërish për kujdes. Ju lus të festojmë në familjet tona, të qëndrojmë pranë familjeve tona. Duke ngushëlluar të gjitha ata që humbën familjarët e tyre, duke ju uruar shërim të gjithë të sëmurëve nga COVID-19 dhe nga sëmundjet e tjera, ju uroj Festën e Kurban Bajramit gjithë besimtarëve islamë.”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Duke u dhënë udhëzime qytetarëve se si të sillen për t’u ruajtur nga virusi, Valbon Krasniqi është lutur që festat tjera të festohen në ditë më të mira.

“Festoni në shtëpi, Shmangni vizitat jashtë familjeve tuaja, Mbani maskat sa herë dilni nga shtëpitë
Mbani distancën fizike, Pastroni dhe dezinfektoni duart rregullisht. Dhashtë Zoti që festat tjera t’i presim në ditë më të mira🙏.”. përfundoi Krasniqi/21Media