Krasniqi: Dhuna ndaj gruas së moshuar tregon problemet e thella që ka shoqëria

(Lajm i përditësuar)

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dhuna ndaj një gruaje të moshuar tregon problemet e thella që ka shoqëria jonë.
Ai u shpreh i shokuar nga ngjarja në shtëpinë e të moshuarve në Pejë!
“Për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë. Por, fatkeqësisht, këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se institucionet përgjegjëse e kanë për obligim që të sigurojnë ambient të sigurt për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ndaj tyre në institucionet e tilla. Ndërsa ka kërkuar që drejtësia duhet të veprojë fuqishëm sot, që nesër rastet e tilla mos të përsëriten.
Haradinaj: I tronditur nga rasti ku nëna e dëshmorit dhunohet fizikisht
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është i tronditur nga rasti në Pejë, ku nëna e Dëshmorit Taulant Nura, dhunohet fizikisht nga ato që duhet të kujdesen për të.
Tutje, Haradinaj ka thënë se është e papranueshme dhuna e shfaqur në video.
“I tërë zinxhiri menaxhues dhe autorët e këtij krimi, të dalin para drejtësisë. Rastet e tilla janë aq sa të dhimbshme po aq të neveritshme dhe nuk kanë vend në Kosovën tonë! Nanat, të moshuarit dhe çdo kategori e ndjeshme e shoqërisë tonë, meritojnë trajtim dhe dinjitet. Uroj që këto raste të mos përsëriten më kurrë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Abdixhiku: Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me rastin ku një e moshuar rrihet nga pjesëtarët e stafit të shtëpisë për të moshuar në Pejë.
Ai ka thënë se është i shokuar e i tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj të moshuarës. “Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune”, ka thënë Abdixhiku.
“Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot. Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë”, ka shkruar tutje Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se dhuna është problemi ynë shoqëror dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë.
Pacolli-infermiereve: Shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar në qeli
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar për rastin e dhunës ndaj një të moshuare në Pejë duke thënë që shpreson që të dyshuarat të dalin para drejtësisë, ndërsa ka bërë të ditur se viktima është nëna e një dëshmori.
“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori. Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.
Ndërsa, për të dyshuarat ka thënë se shpreson që të kenë mjaft kohë për të menduar për veprimin në qeli.
Policia në Pejë ka konfirmuar se dy punonjëse të shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë.
 
Bajrami: Të sëmurët mentalisht nuk duhet të lejohen të punojnë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se është e tmerruar nga dhuna e ushtruar ndaj së moshuarës në Pejë.
Bajrami kërkoi nga organet e rendit që të merren urgjentisht me rastin dhe ta mbajnë të informuar publikun, që sot u tmerruan nga pamjet e tilla.
“Jam e tmerruar nga lajmi me video që po qarkullon në medie, ku një e moshuar, në një ”shtëpi të kujdesit për të moshuarit” torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Ju bëj thirrje organeve të rendit që të merren urgjentisht me rastin dhe ta mbajnë të informuar publikun, që sot u tmerruan nga pamjet e tilla. Aty po aq fajtore janë ato tjerat që qeshin derisa kolegia e tyre është në aksion. Gjest i poshtër, i ulët dhe barabar!”, tha deputetja.
“Të sëmurët mentalisht nuk duhet të lejohen të shërbejnë/punojnë në asnjë institucion, qoftë ai privat apo publik. I kërkoj falje zonjës së moshuar që po jeton në këtë kohë të pakohë dhe i uroj rehabilitim sa më të shpejtë!”, shtoi ajo.
Abazi për rrahjen e të moshuarës: Dhuna duhet dënuar dhe adresuar seriozisht
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar ndaj një të moshuare në shtëpinë e të moshuarve në Pejë. Ai ka këkruar që një akt i tillë të dënohet.
Ai po ashtu ka thënë se fenomeni i dhunës duhet të adresohet edhe në aspektin e shëndetit mendor, por edhe nëpërmjet ligjit.
“Dhuna duhet dënuar dhe adresuar seriozisht. Pamjet e rrahjes së nënës së moshuar në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, janë pamje të një çmendurie, dhe ato që shikonin e qeshnin me këtë akt çmendurie janë po aq fajtore. Shoqëria jonë duhet të adresojë këtë fenomen të dhunës edhe në aspektin e shëndetit mendor por edhe nëpërmjet ligjit.”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Balje për infermieren që sulmoi të moshuarën: Turp të kesh
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje reagoi pas sulmit fizik ndaj një të moshuareje në Pejë.
Ajo ka shkruar se veprimi është i papranueshëm.
“O vajze me floke te zeza kush ta ka dhene të drejtën të bësh keto gjera, duhet te kesh turp per veten, dhe si te kane eduku prinderit. Ajo grua e moshuar nesër mund të jetë nëna jote.
Kjo që bëtë është e papranueshme dhe do të duhet te mbani pergjegjesi. Turp te kesh. Tani të shohim reagimin e shtetit dhe të gjithë neve. PS. Dhe ju që qeshit përreth…”, shkroi Balje.
Çitaku për infermieret: Kriminele
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se nuk ka pasur forcë me shikua deri në fund videon, ku shihen infermieret duke sulmuar fizikisht një të moshuar në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.
“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon në të cilën disa infermijere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë. Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu merret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht. Kriminele”, shkroi Çitaku në Facebook./21Media
https://rtv21.tv/ndalohen-per-48-ore-dy-te-dyshuarat-per-rrahjen-e-te-moshuares-ne-peje/

Back to top button