Haxhi Krasniqi është shpallur kampion bote në boks duke e mposhtur me nokaut kundërshtarin e tij, gjerman Bosel.

Vetëm tre raunde iu deshën Krasniqit për ta nokautuar boksierin gjerman. Goditja e tij e fuqishme me të djathtën e rrëzoi në tokë Boselin.

Pas meçit, Krasniqi u shpreh shumë i lumtur me suksesin e arritur.

“Nuk ka ndonjë vlerë monetare e cila më bën më të lumtur se kaq. Ky është një moment historik për mua të cilin do ta festoj gjatë. Faleminderit të gjithë atyre që besuan tek unë dhe më mbështetën maksimalisht. Kam pritur 15 vjet për këtë luftë. Kjo është dita më e madhe e jetës sime”, tha Krasniqi.

Për Krasniqin ishte hera e tretë që boksoi për titull bote në një nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist (WBC, WBA, WBO e IBF). Dy herët e kaluara kishte pësuar humbje. Ai ka bilanc prej 51 fitore e gjashtë humbje në boksin profesionist. Për tituj bote në të kaluarën boksuan edhe Luan Krasniqi, Shpend Abazi, Edis Tatli e Shefat Isufi, por nuk kishin arritur ta fitonin luftën vendimtare.