Krasniqi: Kosova si shtet multietnik s’ka hapësirë për dhunë e mos durim etnik
Nga janari do të jetë në funksion platforma online për raportimin e çfarëdolloj diskriminim që bëhet ndaj qytetarëve. Kështu tregoi Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas takimit që pati me grupin teknik për parandalimin e diskriminimit.
Rastet e tilla janë brengosëse për qeverinë kjo meqë prish fotografinë shumë etnike të Kosovës. Krasniqi në konference për medie bashkë me zëvendëskryeministren, Emilja Rexhepi tha se Kosova si shtet multietnik nuk ka hapësirë për dhunën dhe mos durim etnik, me ç’rast ka vlerësuar edhe reagimet shoqërore që u bënë ndaj dy rasteve të lartpërmendura.
“Si qeveri jemi shumë të brengosur për këto raste. Këto raste janë raste që e prishin fotografinë shumë etnike të Kosovës dhe Kosova si shtet multietnik nuk ka hapësirë për dhunë dhe mos durim etnik. Rasti në Gjakovë është një nga ato rastet që jep jehonë e madhe dhe është bërë mirë që u bë kështu. Mirëpo ka raste të tjerë që raportohen ditë pas dite nga përfaqësues të shoqërisë civile nga aktivistë të ndryshëm që ballafaqohen me këto problematika, ka qenë shumë i mirë reagimi gjithë shoqëror”, tha Krasniqi.
Në takim me grupin punues, Krasniqi thotë të jetë diskutuar edhe për atë se jo gjithë qytetarët e dinë që Avokati i Popullit mund të iniciojë rastet ku ka elemente të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Përfunduam takimin e grupit teknik për parandalimin e diskriminimit. Diskutim për mundësinë e krijimit të instrumenteve shtesë që mundësojnë raportimin e rasteve të tilla. Sot u diskutua për platformën online i cili nga janari e tutje do të jetë në funksionim ku qytetarët të cilët kanë problem do të mund të raportojnë çdo lloj diskriminimi. Sot diskutuam edhe për faktin jo të gjithë qytetarët e dinë për Institucionin e Avokatit të Popullit , jo të gjithë ata mund të raportojnë në mënyrë që Avokati i Popullit të iniciojë rastin ku ka edhe element të shkeljes së drejtave të njeriut”, tha ministri Krasniqi.
Zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi u pyet edhe për vizitën në Sarajëve për çka tha se qëllimi ishte që të reagohet rreth pranimit të dokumenteve të shtetit të Kosovës në qeverinë boshnjake.
“Në lidhje me vizitën time në BIH, ne së bashku me ministrin për zhvillim rajonal kemi realizuar një vizitë zyrtare me oden e tregtisë së jashtme në BIH ku presim që afaristët tonë me prodhime vendore dhe afaristët atje t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe do të jemi partner kompakt për tregun e ardhshëm që pritet vitin e ardhshëm, ndërsa qëllimi i kësaj vizite ka qenë që ne të reagojmë rreth pranimit të dokumenteve tona në qeverinë boshnjake përkatësisht tek përfaqësuesit boshnjak dhe kroat që janë atje rreth procesit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe pavarësisë sonë”, tha Rexhepi.