Krasniqi – Qeverisë: S’ pres dorëheqje nga ju, për ta bërë këtë duhet të kesh integritet

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i reagoi kryeministrit Albin Kurti i cili gjatë ditës sot tha se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. Kurti shtoi se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.
E këtë deklaratë të tij, Krasniqi e quajti si skandal.
“E para, 18 prej atyre policëve, Kryeministër, i mban vetëm ti personalisht për mbrojtjen tënde (nuk e di se prej kujt po mbrohesh?). E dyta, me këtë lloj qeverisje dhe me këtë trend të ikjes së të rinjve gjatë mandatit tënd, shumë shpejtë do të kemi përgjysmë më pak familje e përgjysmë më pak policë.E treta, sot janë bërë 101 ditë pa Ministër të Shëndetësisë. Një zonjë, që priste të bëhej nënë për herë të parë, nuk arriti ta mbajë asnjë sekond në duar foshnjën e saj sepse u vra mizorisht, bashkë me foshnjen, në një institucion publik, i thirrur për të shpëtuar jetë. E katërta, ku është reagimi shtetëror? Ku është dorasi? Kush do të merret me të, edhe nëse arrini që ta kapni? Sistemin gjyqësor e ke në grevë, për shkak të inateve dhe tekeve tua krejt personale. “, shkroi Memli Krasniqi në Facebook.
Ai tutje akuzoi Qeverinë se nuk po pranojnë fajin si dhe tha se nuk pret që këta të fundit të japin dorëheqje.
“E pesta, hapi i parë për të rregulluar diçka është ta pranoni fajin. Ju vazhdoni të shfajësoheni, duke bërë të gjithë fajtorë, opozitën, shoqërinë, mësuesit, policinë, gjykatësit, mjekët, por asnjëherë, ama asnjëherë, veten dhe ministrat e tu.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme – unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!”, shkroi Krasniqi./21Media

Back to top button