Krasniqi reagon ashpër ndaj publikimit të ASHAK: Qëndrimet e tekstit, përputhen me interesat e Beogradit

Partia Demokratike e Kosovës  ka reaguar për  tekstin e publikuar së fundmi në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e quan këtë tekst amator.
“me tiparet e një pamfleti elektoral partiak, i tejmbushur me gabime drejtshkrimore dhe përmbajtësore, me një gjuhë aspak akademike, tërësisht i padenjë për institucionin nga ka dalë, përbën një turp të paprecedentë që kërkon menjëherë reagime distancuese nga vet anëtarët e ASHAK-ut dhe mbarë komuniteti shkencor i vendit.”, thuhet në reagim
Po ashtu ky subjekt politik thotë se teksti në fjalë krijon përshtypjen se ky tekst tingëllon më shumë si një memorandum anti-shqiptar, është interpretimi i ulët politik i Gjykatës Speciale dhe sulmi ndaj personaliteteve kryesore të UÇK-së.
“Me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejtë lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovocentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neo-kolonialiste kundër aleatëve perëndimorë.Qëndrimet e këtij teksti, gjithashtu, çuditërisht, përputhen me interesat dhe përpjekjet zyrtare shumëvjeçare të Beogradit që përpiqet të përçajë shqiptarët dhe të ndërtojë dallime esenciale mes shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë.”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Në anën tjetër Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Krjaja sot shpërndau në rrjetin sociale Facebook dokumentin në fjalë për të cilin thotë se është punuar në janar të këtij viti. Ai tha se është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i cili synon të tërheq vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, janë bërë më agresive dhe destabilizuese për rajonin, duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

Back to top button