Krasniqi: S’do duhej të diskutohej pse janë mbyllur strukturat paralele sot, por si kanë qenë të hapura deri sot

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se nuk do të duhej të diskutohej se pse institucionet e Serbisë janë mbyllur sot, por se si ato kanë qenë të hapura deri sot.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se institucionet serbe të mbyllura të mërkurën në Kosovë janë institucionet paralele kriminale të Serbisë në Kosovë.
“Tashmë janë mbyllur Institucionet paralele kriminale të Serbisë në Kosovë. Komunat paralele, Posta paralele, Administratat Tatimore paralele. Qytetarët e Kosovës, i kanë komunat e Kosovës, Postën e Kosovës si dhe Administratën Tatimore të Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e tjera të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionet në fuqi. Diskutimi për institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të bëhej se pse janë mbyllur sot, por si kanë qenë të hapura deri sot”, ka shkruar Krasniqi.