Krasniqi: Shumë studentë nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë, t’ua rikthejmë besimin

Lideri i PDK-së Memli Krasniqi me rastin e 53 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e cilësoi atë si kështjellë të dijes e rezistencës si dhe tha se apeloi që fokusi të kthehet te studentët pasi që sipas tij ata nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë.
“Sot festojmë 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, institucionit që formësoi identitetin kombëtar, shtroi rrugën akademike dhe zgjoi shpirtin liridashës të qytetarëve të Kosovës. UP-ja, që nga themelimi, u kthye në kështjellë të dijes e rezistencës, nga ku, historikisht, studentë e profesorë së bashku, artikuluan aspiratat tona kombëtare dhe projektuan rrugën e lirisë. Kur jemi vetëm dy ditë larg nga festimi i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen e madhe për të gjitha gjeneratat e profesorëve, asistentëve, studentëve dhe stafit tjetër përbërës të UP-së, për kontributin e çmueshëm drejt përmbushjes së këtij ideali. Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës.”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ai po ashtu tha se bëri thirrje se prioritet i të gjithëve duhet të jetë rikthimi i besimit tek të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë dhe të mirëfilltë në vendin tonë.
“Në këtë drejtim, është obligim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të veprojmë dhe të angazhohemi. Ndërtimi i një shteti i cili krijon më shumë mundësi për përmbushjen e potencialit rinor – është i vetmi çelës për të mbajtur rininë tonë të mrekullueshme në vend – e për të cilën kemi aq shumë nevojë. Rinia ka qenë forca shtytëse në rrugën e lirisë dhe pavarësisë. Rinia duhet të jetë edhe energjia e cila ndërton dhe zhvillon vendin tonë. Së bashku mund t’ia dalim – besoni në Kosovë!”, përfundoi Krasniqi./21Media

Back to top button