​Krasniqi: Viti 2025 ishte vit i konsolidimit të sportit në Kosovë

Presidenti i Komiteti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndësishme për zhvillimin e sportit në Kosovë, duke theksuar mbështetjen për sportistët, promovimin e vlerave olimpike dhe përgatitjet për ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Në ceremoninë solemne të laureatëve, Krasniqi tha se kjo ngjarje nuk shërben vetëm për të vlerësuar më të mirët e vitit, por edhe për të riafirmuar vlerat mbi të cilat ndërtohet sporti i Republikës së Kosovës.

Ai falënderoi delegatët për rizgjedhjen e tij edhe për një mandat tjetër, duke e cilësuar këtë besim si një përgjegjësi të madhe morale dhe institucionale.

Gjatë vitit 2025, Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë 90 bursa për sportistë dhe trajnerë, me vlerë mujore nga 150 deri në 1,300 dollarë. Sipas Krasniqit, këto bursa janë shprehje e respektit dhe besimit për ata që përfaqësojnë Kosovën në arenat ndërkombëtare.

Ai theksoi po ashtu rëndësinë e aktiviteteve që promovojnë vlerat olimpike, si Dita Olimpike, Vrapimi i Pavarësisë dhe shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Paqe dhe Zhvillim, duke nënvizuar rolin e sportit si mjet edukimi dhe bashkimi për të rinjtë.

Krasniqi përmendi edhe angazhimet ndërkombëtare të KOK-ut, përfshirë nënshkrimin e Deklaratës Helsinki-Brighton, si dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, të cilat i cilësoi si një projekt historik për vendin.

Si moment krenarie për sportin kosovar, ai veçoi medaljen e bronztë të Enisa Ziadës në EYOF Shkup 2025, duke theksuar se Komiteti Olimpik i Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë sportistëve, trajnerëve dhe federatave në çdo fazë të rrugëtimit të tyre.

Back to top button