Microsoft njoftoi se hakerët kanë sulmuar ueb faqet e dy organizatave jofitimprurëse

Microsoft njoftoi se hakerët kanë sulmuar ueb faqet e dy organizatave jofitimprurëse

Kremlini ka thënë se nuk e kupton akuzën e kompanisë Microsoft se hakerët e lidhur me qeverinë ruse janë përpjekur të sulmojnë ueb faqet e dy organizatave jofitimprurëse të SHBA, duke deklaruar se kompania nuk ka ofruar dëshmi për pretendimet e saj.

Microsoft njoftoi se hakerët kanë sulmuar ueb faqet e dy organizatave jofitimprurëse, Instituti Ndërkombëtar Republikan dhe Instituti Hudson javën e kaluar, duke sugjeruar se sulme të tilla dhe të ngjashme përbënin një kërcënim për një numër organizatash të shoqëruara me të dyja partitë politike amerikane përpara zgjedhjeve për Kongres që do të mbahen në muajin nëntor.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha sot se nuk e dinë se për cilët hakerë bëhet fjalë.

“Për kë po flasin? Ne nuk e kuptojmë në bazë të cilave dëshmitë sjellin përfundime të tilla. Informata dhe prova të tilla mungojnë “, tha ai.

Agjencia Reuters më herët ka cituar një diplomat të paemëruar rus, i cili akuzat e Microsoftit i ka vlerësuar si lojë politike.

“Zgjedhjet në SHBA ende nuk janë mbajtur dhe tashmë ka akuza. Microsoft po sillet si prokuror dhe jo firmë private”, ka deklaruar diplomati rus.

Microsoft më herët tha se javën e kaluar kishte hetuar sulme dhe mori kontrollin mbi gjashtë faqe të internetit, të cilat hakerët i kishin krijuar duke imituar ueb faqet e dy organizatave jofitimprurëse të krahut të djathtë, Institutit Republikan Ndërkombëtar dhe Institutit Hudson, si dhe ueb faqen e Senatit Amerikan.

Përndryshe, anëtarët e Institutit Republikan Ndërkombëtar janë republikanë të rangut të lartë, siç është senatori John McCain, i cili kritikoi marrëdhënien e presidentit Donald Trump me Rusinë.

Instituti Hudson, një grup tjetër konservator në SHBA, ka organizuar debate për shumë çështje, duke përfshirë sigurinë në internet, dhe është gjithashtu kritik ndaj qeverisë ruse.