Krerët e shtetit zotohen për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur

 
Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë kanë deklaruar përsëri se do të angazhohen në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Sot kur Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë takuar familjarët e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Krerët institucionalë kanë vendosur lule në memorialin për të pagjeturit prej ku kanë deklaruar që kërkesë themelore e kanë ndriçimin e fatit të personave të pagjetur.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën nuk ka asgjë më të rëndësishme se ndriçimin e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
“Barrën e kemi të përbashkët, plagën e hapur e kemi të përbashkët, dhimbjen e kemi të përbashkët dhe të jeni të sigurt që të gjithë që zëri juaj do të dëgjohet çdo kund, që kërkesa jonë parësore, themelore mbi të gjitha do të jetë zbardhja e fatit të më të dashurve tuaj e tanë. I kujtojmë sot bashkërisht për të ja përkujtuar vetvetes sonë, gjithë rajonit, e gjithë aleatëve tanë, që për Kosovën nuk na gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se në Serbi ka dhjetëra varreza masive të shqiptarëve të cilat Serbia po i mban të fshehura.
“Shumë prej atyre ende nuk janë zbuluar dhe Serbia i mban të fshehura, nuk i tregon, e ato mund t’i dinë vetëm autoritetet e Serbisë meqenëse shteti serb ishte përgjegjës për krejt gjenocidin dhe të gjitha ato vuajtje e krime të cilat ja shkaktoi popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit ‘98-99. Të bëjmë çmos që drejtësia të ndodh dhe të vijë në vend meqenëse nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili pritet të udhëtojë sot në Bruksel, nuk është përgjigjur nëse do të flas për çështjen e të pagjeturve në dialogun me Serbinë i cili pritet të rifillojë së shpejti.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten e vendit dhe kryetarin e Kuvendit, jemi zotuar se do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë, në mënyrë që edhe të jemi pranë këtyre familjarëve por njëkohësisht edhe të ndihmojmë sjelljen e drejtësisë për gjetjen e të vërtetës… Në raport me Serbinë, e për hirë të së ardhmes sonë dhe të historisë sonë, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së personave të pagjetur “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkinaj ka thënë se plaga për më të dashurit e tyre të zhdukur mbetët e pashërueshme.
“Një plagë e cila ende është e pashërueshme dhe do të jetë e pashërueshme për ne familjarët deri të shkojmë në atë botë. Mirëpo respekti i juaj ndaj familjarëve të të pagjeturve e zbutë, por edhe puna, që bëhet me vepër. Kjo është porosi prej familjarëve”, tha Qerkinaj.
Në Kosovë ende nuk dihet për fatin edhe të 1 mijë e 600 personave të zhdukur nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Back to top button