Të miturit ende në arrati

Të miturit ende në arrati

Lum Lekaj dhe Valmir Ademi, një nga Peja e tjetri nga Vushtrria, mëngjesin e së dielës u arratisen nga Qendra Korrektuese e Lipjanit. Që të dy të mitur ishin duke vuajtur dënim prej kohësh për vrasje. Por edhe pse kanë kaluar 24 orë që nga arratisja e tyre, policia ende nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tyre.

Lidhur me këtë arratisje, Indeksonline ka kontaktuar Drejtorin e Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi. Ai ka bërë të ditur se arratisja e tyre është bërë duke kaluar gjithë rrethojat dhe duke u ndihmuar nga persona të paidentifikuar jashtë burgut dhe se për momentin nuk ka ndonjë të re lidhur me vendndodhjen e tyre.

“Ata kanë ik gjatë ditës, i kanë kapërcyer gjitha rrethojat e burgut. Pra kanë arritur që të kalojnë telin. Atyre u ka ndihmuar dikush, ka shënime se një automjet i dyshimtë ka pritur jashtë Qendrës Korrektuese të Lipjanit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi poashtu ka bërë të ditur se dy zyrtarët e suspenduar gjatë ditës së djeshme nuk dyshohet se ndërhynë në këtë rast, por vetëm se kishte mungesë të kujdesit.

“Për momentin janë dy zyrtarë të suspenduar dhe janë duke u bërë hetimet dhe mbetet të shihet gjithë rasti. Nuk dyshohet se zyrtarët kanë pas të bëjnë më arratisjen e tyre, vetëm se ka pas pakujdesi nga ana e tyre”, ka shtuar Thaçi.

I pari i Burgjeve të Kosovës nuk ka mohuar faktin se stafi i burgjeve ka nevojë për rigjenerim dhe se mosha e gardianëve në përgjithësi është e vjetër.

“Pikërisht ky rast është shumë sfidues, por kemi edhe probleme me stafin, pra vjetërsinë e stafit dhe kjo ka qenë një ndër arsyet e hapjes së konkursit të ri për punonjës të rinj në mënyrë që të rigjeronohet stafi. Pra në mënyrë që të jenë më fleksibil dhe më sigurt, duhet të ketë rigjenerim të stafit, por do të merren edhe disa hapa shtesë në siguri”, ka thënë Thaçi.

Drejtori i Burgjeve gjithashtu ka deklaruar se tashmë policia është duke u marrë me rastin në fjalë dhe se për momentin nuk dihet asgjë.

“Ende nuk ka të dhëna të reja. Policia tashmë është duke u marrë me rastin në fjalë për arsye se në momentin që ekziston mundësia e daljes jashtë burgut rasti vazhdon në polici dhe çdo informacion që ne e kemi e shpërndajmë tek policia, por për momentin nuk dihet diçka”, ka përfunduar Thaçi.