Mesha e Krishtlindjes këtë vit në Shqipëri nuk është mbajtur në mesnatë. Në katedralen katolike ‘Shën Pali’ besimtarët janë mbledhur në orën 18:00 në respektim të masave anticovid.

Imzot George  Frendo: Me gëzime, i themi Zotit, faleminderit sepse na ke dhuruar birin tënd të jetë për ne shpëtimtar.

Qirinjtë janë ndezur nën lutje për shëndet të mbarë dhe mposhtjen e Covid.

Imzot George  Frendo: Në solidaret me ata që kanë vdekur ose janë afër vdekjes për shkak të Covid. Dhe të bashkojmë lotët tona me ato të foshnjës Jezus. Të lindur jashtë shtëpisë, duke kujtuar shkumë persona që sot po kalojnë natën jashtë shtëpisë.

Në kishën ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në vigjilje të Krishtlindjes besimtarët luten për më shumë shëndet.

Besimtari: Lutemi për mbarësi, aq më tepër tani që është kohë pandemie, Krishti është vaksina më e përshtatshme që të kalojmë këtë situatë.

Besimtarja:  Shëndeti i pari, pastaj mbarësi.

Besimtarja: Për këtë vit urojmë që vërtetë të na sjellë shpresë, gëzim dhe dashuri…

Përfaqësues të kishës thonë se pjesëmarrja në shërbesën e orëve të mëdha të Krishtlindjes ka qenë më i ulët se në kushtet normale, por i kënaqshëm duke marrë parasysh kushtet e pandemisë.

Prifti: E kënaqshme, ishin shumë njerëz që morën pjesë në shërbesën e orëve dhe të liturgjisë së madhe të Shën Vasilit të Madh. Ndonëse shumë njerëz janë në punë dhe në detyrime të ndryshme por ishte diçka e kënaqshme.

Më 25 dhjetor në kishën ortodokse “ Ngjallja e Krishtit” do të organizohen dy mesha, një në orën 7 dhe një tjetër në orën 10, për t’iu dhënë mundësinë të gjithë besimtarëve të jenë pjesë, por dhe pa lejuar grumbullimet./oranews