Krivaqës dhe Sejdiut iu konfirmohet aktakuza për vrasjen e Marigona Osmanit
Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gentiana Hoxha, zyrtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
“Ju njoftoj se gjyqtari i çështjes më 2 shtator 2022 ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës e cila është paraqitur nga ana e mbrojteve të të pandehurve D.K. dhe A.S.”, ka thënë Hoxha.
Më 23 gusht 2022, mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura./21Media