Krizë në RFE/RL të Azerbajxhanit, EJF bën thirrje për hetim të pavarur

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) po i bën thirrje organizatës mediatike të financuar nga qeveria amerikane Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL) që të kryejë një hetim të pavarur ndaj ekipit menaxhues të shërbimit të saj në Azerbajxhan “Azadliq Radiosu”, i cili po përballet me një valë shqetësuese shkarkimesh dhe dorëheqjesh.

Gjatë dy viteve të fundit, katër gazetarë janë pushuar nga puna dhe tre të tjerë kanë dhënë dorëheqjen në “Azadliq Radiosu”, shërbimi azerbajxhanas i Radios Evropa e Lirë. Gazetarët kanë denoncuar kërcënimet dhe ngacmimet nga kryeredaktori dhe drejtuesi i radios.

Më 9 gusht, pesë ish-gazetarë; Islam Shikhali, Ravan Seyfulla, Orkhan Rustamzadeh, Arzu Aliyeva dhe Ramin Deko lëshuan një deklaratë të përbashkët për atë që ata e përshkruajnë si një mjedis shtypës dhe menaxhim të dobët të shërbimit azerbajxhanas, me pasoja në pavarësinë editoriale dhe cilësinë e informacionit.

Gazetarët që u pushuan, përfshirë punonjësin afatgjatë Turkhan Kerimov, i shkarkuar një muaj më parë, i shkruan letër presidentit të Radios Evropa e Lirë, duke kërkuar hetim për incidentet. Ata nuk kanë marrë ende një përgjigje të qëndrueshme, transmeton rtv21.tv.

Ish-punonjësja e RFE-së, gazetarja e shquar Arzu Geybulla përshkruan një kontekst të “keqmenaxhimit sistematik në nivel të lartë”, në një artikull të dokumentuar të botuar më 10 gusht. Ajo flet për një “mjedis toksik dhe jofunksional që mbretëron brenda radios”.

“Pyetja ime është nëse ne do të shohim në të vërtetë ndryshime brenda menaxhimit të radios ose nëse do të jetë biznes si zakonisht – ashtu siç shohim shpesh të ndodhë në regjimet autokratike, ku liderët ikin me atë që u bëjnë njerëzve të tyre. A do të vërtetojë Radio Evropa e Lirë se është ndryshe? Është e vështirë të thuhet në këtë pikë”, tha ajo.

“Fakte të tilla dhe një situatë e tillë krize nuk mund të mbeten pa përgjigje apo pa reaguar nga menaxhmenti i Radios Evropa e Lirë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutiérrez.

“Është në rrezik vetë besueshmëria e medias. Ne bëjmë thirrje për qartësi të plotë në drejtimin e radiostacionit dhe për rikthimin në detyrë të gazetarëve që janë shkarkuar padrejtësisht ose janë detyruar të japin dorëheqjen”.

“Azadliq Radiosu” operon nga qendra e transmetimit në Pragë. Ajo ishte e pranishme në Azerbajxhan deri në vitin 2014, kur zyra e saj në Baku u bastis dhe u mbyll, dhe ish-shefi i zyrës së saj u arrestua dhe u burgos. /EFJ

Back to top button