Kroacia e gatshme ta mbështesë Kosovën

Gjatë takimeve, u shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit

Në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar, delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Elmi Reçica, në përbërje të të cilit janë edhe Blerta Deliu-Kodra e Zafir Berisha, anëtarë të komisionit, është duke realizuar një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci.

“Delegacioni u takua me anëtarë të Komisionit për Politike të Jashtme, i kryesuar nga kryetari Miro Kovaç, me anëtarë të Komisionit për Çështje Evropiane, i cili kryesohej nga Franjo Luçiq, si dhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mirosllav Tugjman”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas këtij njoftimi gjatë takimeve, u shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve parlamentare, këmbimi dhe ndarja e përvojave rreth çështjeve integruese. Ndërsa, nga delegacioni kroat u shpreh gatishmëria për mbështetjen e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që do të mbahet në Gjeorgji.

Delegacioni pasdite do të takohet edhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në SEECP, ndërsa nesër do të takohet me Grupin e Miqësisë Kosovë-Kroaci./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button